Barazimi me Partizanin, një rival direkt duke patur parasysh dhe renditjen e Superiores në pamje të parë mund të duket dhe si rezultati jo i pritshëm nga ana e shkodranëve, por për të parë gotën gjysmë plotë, është i treti rezultat pozitiv radhazi nëse merret në konsideratë dhe ndeshja e Kupës.

Fitore me Kastriotin në kampionat gjithashtu ishte pozitive pavarësisht se erdhi në kufirin e kohës, ndërkohë që tanimë do të jetë një tjetër përballje direkte me Laçin, në një kampionat që dhe për shkak të ngjeshjes do të ketë jo pak duele të tilla.

Vllaznia me Partizanin nuk është se luajti keq, përkundrazi në një fraksion loje dhe dominoi, por problem i golit duket se mbetet pika kyçe që duhet të zgjidhin te kuqeblutë.

Gjithsesi rikthimi te rezultatet e pritshme ka ndryshuar dhe humorin e shkodranëve, jo vetëm për pozicionin në renditje, por dhe pritshmëritë në këtë fund kampionati, ku dhe morali mund të luajë një rol të rëndësishëm duke patur parasysh dhe ndryshimet e shpeshta në renditje, aq më tepër që me kaq shumë sfida direkte mjafton vetëm një hap fals për të humbur terren.