Të shtunën do të nisë faza e tretë e kampionatit kombëtar të kategorisë së parë dhe Vllaznisë do ta nisë rrugëtimin e saj nga Peshkopia. Ajo do të ndeshet me Korabin vendas në një sfidë që konsiderohet shumë e rëndësishme për të dy ekipet. Për dibranët nëse nuk arrijnë të fitojnë, marrin fund njëherë e mirë pretendimet e tyre ndërkohë që Vllaznia objektiv do të ketë vetëm fitoren në këtë ndeshje.
Edhe në këtë ndeshje ashtu si në dy të fundit, Vllaznia do të ketë përsëri mungesa. Mbrojtësi Malota e Marku mesa duket nuk do jenë në gjendje për të luajtur të shtunën, ndonëse duhet pritur që të merret vendimi nga stafi teknik në dy ditët e ardhshme.
Ndërkohë disi më ndryshe duket situta e kapitenit Lika që e ka kaluar dëmtimin e pësuar në ndeshjen e Kupës me Kamzën dhe mund të jetë në dispozicion të stafit teknik për ndeshjen e rradhës. Vllaznia do të synojë të marrë fitoren e rradhës në kampionat teksa ka fituar dy herë nga Korabit dhe do të tentojë ta bëjë këtë gjë edhe për herë të tretë.
Nëse do të ndodhte kështu, ekipi shkodran do të hidhte një hap të rëndësishëm drejt Superligës. Për më tepër që kundërshtari i tij kryesor- Erzeni, do të ketë edhe ai një sfidë shumë më të vështirë në Lezhë ndaj Besëlidhjes.
Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tetë ndeshje për t’u luajtur dhe Vllaznisë i duhet të vazhdojë të bëjë mirë edhe në këtë fazë sepse ndryshe, i gjithë ai rrugëtim i deritanishëm do t’i shkonte dëm. Prandaj dhe kuqeblutë janë të fokusuar maksimalisht tek sfida e rradhës në Peshkopi ku do të tentojnë fitoren ndaj Korabit.
© shkodrasport.com