Problemi i mungesave për ekipin e Vllaznisë tashmë është kthyer në një çështje më vehte nga ndeshja në ndeshje. Kartonat,dëmtimet apo dhe probleme të tjera, kanë bërë që stafi teknik të mos jetë asnjëherë i qetë sa i takon ndërtimit të formacionit.Do të ndodhë kështu edhe në takimin e sotëm me Laçin në të cilin trajneri Cungu nuk do të ketë në dispozicion të paktën dy prej titullarëve. Kështu, Kalaja dhe Marku nuk do të udhëtojnë fare drejt Laçit sepse kanë probleme me dëmtimet dhe janë të pamundur për të luajtur. I pari ka qenë i dëmtuar prej dy javësh dhe e provoi të luante ndaj Luftëtarit por u largua nga fusha pa mbaruar ende pjesa e parë. Ndërsa i dyti, ka ndjerë shqetësime në kavilje dhe nuk është stërvitur fare dy ditët e fundit.Tashmë mbetet për t’u parë sesi do ta ndërtojë formacionin stafi teknik për takimin me kurbinasit. Zëvendësimi i Markut në krahun e majtë të mbrojtjes ka qenë gjithnjë një problem sepse nuk ka një mbrojtës tjetër të majtë në dispozicion dhe prandaj duhet parë sesi do të zgjidhet nga Cungu. Më parë,ai ka spostuar Gocajn në të majtë dhe ka aktivizuar Pjeshkën në të djathtën dhe kjo mund të ndodhë edhe sot, por një tjetër alternativë është edhe kalimi i Vrapit në këtë pozicion. Ndërkohë, mbetet për t’u parë edhe si do të zgjidhet mungesa e Kalajës sepse mundësitë janë për të kthyer Shtubinën në këtë pozicion por nuk përjashtohet mundësia që të luajë edhe Vecaj nga minuta e parë. Shkodranët mbrëmë kanë qenë të grumbulluar në “Gardenland Resort” në periferi të qytetit të tyre dhe afër drekës do të nisen drejt Laçit me objektivin e qartë për të marrë pikë