Në Shkodër ka një dilemë të madhe. Pikërisht për atë se cilët janë katër futbollistët që do veshin fanellën e Vllaznisë për sezonin e ri. Kërkesat e trajnerit Duro kanë qenë për 8 blerje në momentin kur ai vendosi të marrë përsipër drejtimin e kësaj skuadre. Deri më tash, drejtuesit e klubit I kanë bërë realizitet vetëm tre. Ivan Deliç ka ardhur nga Mali I Zi për qendrën e mesfushës. Konsiderohet një futbollist shumë I talentuar, është 26 vjeç dhe vjen në Shkodër me një objektiv të qartë: të rikthehet në formën e tij më të mirë pas një dëmtimi që ka patur kohët e fundit. Rrjedhojë e këtij dëmtimi por edhe mosmarrëveshjet me drejtuesit e klubit në Hungari ku ka luajtur në sezonin e kaluar, kanë bërë që mesfushori flokëgjatë t’I largohet kombëtares malazeze me të cilën kohë më parë ka luajtur disa ndeshje. Duke luajtur me Vllazninë, Deliç kërkon pikërisht “të rizgjohet” duke u rikthyer sërish në kombëtaren e vendit të tij. Shumë vetë që e njohin thonë se ai nuk do kishte ardhur kurrë në Shqipëri për të luajtur nëse nuk do t’I kishte patur ato probleme kohët e fundit prandaj dhe shkodranët do mundohen ta shfrytëzojnë në maksimum këtë moment të këtij lojtari. Blerja e dytë ka qenë ajo e kosovarit Ilir Nallbani. Në janar nuk u bë realitet ardhja e tij ndonëse dëshira e mesfushorit ka qenë e madhe. Në Shkodër ai ndjehet mirë. Shumë mendojnë se cikli I tij tek Vllaznia ka mbaruar pas 3 vitesh e gjysëm që ka luajtur aty para se të kthehej në Kosovë tek Trepça. Por nuk kanë të njëjtin mendim tifozët kuqeblu. Ata e adhurojnë këtë futbollist për mënyrën si luan, për grintën që shfaq në fushë dhe për dashurinë që ka shprehur gjithnjë për fanellën e kësaj skuadre. Pikërisht me këtë grintë mesfushori 30 vjeçar do kërkojë t’I bëjë për vete të gjithë. Me Deliç në qendër të këtij reparti, pritet të krijohet një dyshe shumë interesante. Blerja e tretë ka qenë ajo e vlonjatit Halim Begaj. Ka shumë dilema për këtë futbollist por fakti që trajneri Duro e ka zgjedhur vetë për krahun e majtë të mbrojtjes, do të thotë se ai ka besim në aftësitë e tij. Kohët e fundit ka patur një dëmtim në kavilje megjithatë për dy javë mendohet të jetë gati për t’u stërvitur normalisht. Në ardhje duket edhe rumuni Dani Dragoi. Kontrata me të duket thjesht një formalitet që do kryhet sapo ai të mbërrijë në Shkodër, gjë që mund të ndodhë nesër ngaqë ekipi do nisë stërvitjen. Ky futbollist luan në krahun e djathtë të mesfushës dhe në këtë mënyrë do ketë jo pak rivalitet me Gocajn, lojtar që luan edhe ky në këtë pozicion. Këto janë katër blerjet e deritanishme. Katër të tjerët nuk dihet se cilët janë. Me shumë siguri nuk I dinë as drejtori sportiv Grima dhe as trajneri Duro. Kjo ngaqë ata janë në bisedime me disa futbollistë. Objektivat e tyre janë për të marrë dy mbrojtës qendre të mirë dhe alternativat e deritanishme janë tre: Beqiri, Vukçeviç dhe Osmani. Nga këta të tre, dy do vishen kuqeblu me shumë mundësi. Malazezi është në pritje të një përgjigje nga një skuadër tjetër dhe shumë shpejt do të vendosë për Vllazninë, shkodrani Beqiri ka kërkuar afat deri më 15 korrik për të vendosur dhe me shumë mundësi do kthehet të luajë sërish në “Loro Boriçi”. Edhe me Tefik Osmanin bisedimet janë në rrugë të mbarë dhe pritet mbarimi I aventurës së Teutës në Kupat e Europës për të parë konkretisht nëse do firmosë apo jo. Se kush do zgjidhet nga këta tre futbollistë, kjo ende nuk dihet. Për mesfushën nuk është menduar shumë kohët e fundit megjithatë ka ridalë në skenë sërish emri I Prognit. Problemet e fundit me Flamurtarin, çojnë drej shkëputjes së tij nga kjo skuadër. Pak kohë më parë u pat lënë që të bisedohet pas ndeshjeve europiane dhe mbase ka ardhur periudha të bëhet kjo gjë. Alternativë tjetër është Klodian Duro por edhe për të ka dilema. Megjithatë dilemat më të mëdha janë për sulmin se cilët do jenë dy futbollistët që do vijnë tek Vllaznia. Katër emrat “big” që do vijnë në Shkodër ende nuk dihet se cilët do jenë dhe për këtë arsye, tifozët shkodranë po I presin me kërshëri këto emra.
Gjergj KOLA