Përballja me Tiranën do të shfrytëzohet në maksimum për të marrë një rezultat sa më të mirë nga Vllaznia në mënyrë që ajo ta ketë të lehtë në ndeshjen e kthimit më 13 dhjetor në Shkodër. Trajneri Gjoka mësohet se po programon edhe disa lëvizje në formacion. Kështu në portë këtë herë do të jetë Sherri ndërsa mbrojtja do të jetë po e njëjta me atë të ndeshjeve të fundit. Pra me Gocajn, Gurishtën, Orelesin dhe Markun. Kjo ngaqë Pjeshka vazhdon të jetë i pamundur për të luajtur ende.
Ndërkohë lëvizje të shumta pritet të ketë në mesfushë. Mendohet që nga minuta e parë ta nisë si titullar pas rikuperimit Krymi e bashkë me të do të rikthehet në formacion edhe Bardulla. Stafi teknik ka vendosur të lërë pushim Hasanin që ka patur disa probleme shëndetësore kohët e fundit dhe po ashtu edhe Çinarin. Bardulla do të zërë vendin e Hasanit ndërsa atë të Çinarit, njëri në mes Krujës dhe Kalajës. Edhe Tafili mund të pushojë dhe në fushë të jetë Vucaj. Një dilemë është nëse do luajë kapiteni Lika apo do të jetë edhe ai pushim. Ndërkohë në sulm nuk përjashtohet mundësia që këtë herë t’i jepet shansi Ribajt. Skuadra në fakt ka nevojë për rotacion ngaqë ka patur një ngarkesë fizike dy javët e fundit dhe dikush ka nevojë të pushojë. Por kjo shërben edhe për mirë sepse u jep mundësinë lojtarëve të tjerë të tregojnë vlerat e tyre. E rëndësishme për Vllazninë është që nesër në orën 18.00 të futet në fushë me idenë e qartë për të hedhur një hap të sigurtë për kalimin në çerekfinale të këtij kompeticioni.
© shkodrasport.com