Drejtuesit e Vllaznisë po punojnë në të gjitha drejtimet për të afruar lojtarë cilësorë për sezonin e ri. Sulmi është vetëm një nga repartet ku ka nevojë për ndërhyrje.
Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se Shefit Shefiti është shënjestra e radhës në merkaton e kuqebluve. Sulmuesi i dalë nga akademia e Shkëndijës së Tetovës në dy sezonet e fundit ishte pjesë e Rabotnickit po në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.
Shefiti shënoi 6 gola dhe dhuroi po aq asiste në sezonin e fundit me Rabotnickin në kampionat, ku zhvilloi 28 ndeshje, 19 si titullar.
Vllaznia i ka bërë një ofertë konkrete 24-vjeçarit, ish-lojtarit të Kombëtares sonë Shpresa dhe në rast se gjithçka shkon në rrugën e duhur, Shefiti do të vihet nën urdhrat e trajnerit Josa në fazën përgatitore.
Siç mësohet nga gazeta, në tavolinën e Shefitit është edhe një opsion tjetër transferimi, me drejtuesit shkodranë, që i kanë vënë ditën e sotme si afatin e fundit.