Drejtuesit e Vllaznisë kanë shumë pritshmëri për ndeshjet europiane dhe për sezonin e ri nga dyshja, Liridon Latifi dhe Ante Aralica. Në sezonin e ri, ata kanë shansin të “lajnë mëkatet” e kampionatit të shkuar, duke shënuar golat e rrugës drejt titullit në Superioren e ardhshme.

Edhe pse rendimenti i tyre në fakt, sezonin e fundit la deri diku për të dëshiruar, pasi pritej më shumë prej tyre, drejtuesit kanë ende pritshmëri për ata të dy. Kështu, duke qenë se e njeh kampionatin shqiptar, pasi ka luajtur me Skënderbeun, Latifi mund të konsiderohet si njeriu që do të zgjidhë shumë situata në sezonin e ri, teksa ai ka edhe përvojën në Superiore.

Kosovari ka qenë mjaft i vlerësuar në momentin e ardhjes së tij tek Vllaznia, por nuk mund të shfaqte potencialin e tij maksimal me fanellën kuqeblu. Latifi është një futbollist shumë teknik, që pikën më të fortë të tij, ka driblimin e kundërshtarit dhe që në Superioren e ardhshme, mund të bëjë vërtetë diferencën.

Nga ana tjetër, edhe Ante Aralica është një sulmues i fortë fizikisht, nga i cili pritet shumë në sezonin e ri, teksa edhe konkurrenca nuk i mungon, me kroatin që do të luftojë për një vend titullari me sulmuesin brazilian, Kaina Nunesh.

Si Latifi, ashtu edhe Aralica, duhet të rifitojnë besimin e humbur te tifozët kryesisht dhe t’i shërbejnë Vllaznisë, duke nisur nga ndeshjet europiane ndaj Universitatea Kraiova.
Maringlen ZHIVANI