Vllaznia do të presë të shtunën Laçin në një ndeshje delikate për vazhdimësinë e kampionatit. Ndërkohë, në përgatitjet e ditëve të ardhshme, jo çdo gjë mund të shkojë sipas parashikimeve të stafit teknik dhe trajnerit Mirel Josa.

Kështu, katër futbollistë si Liridon Latifi, Lorik Boshnjaku, Darko Bulatoviç dhe Ante Aralica janë akoma me probleme fizike, që i kanë pasur prej javësh. Në fakt, mësohet se ende deri më tani asnjë prej tyre nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen e së shtunës ndaj Laçit.

Stafi mjekësor po bën maksimumin që futbollistët të jenë të gatshëm sa më parë për trajnerin Josa. Megjithatë, ky i fundit, si çdo trajner ka një plan B dhe kjo mbetet për t’u zbuluar në seancat e ardhshme stërvitore të skuadrës.

Kujtojmë këtu se, Vllaznia vjen pas dy fitoreve rradhazi ndaj Partizanit dhe Bylisit, teksa ndeshje me Laçin shikohet si një mundësi për të vijuar me rezultatet pozitive.

Ndërkohë, përveç rikthimit të sulmuesit shkodran, Bekim Balaj, Vllaznia nuk ka bërë ende asnjë përforcim nga merkatoja. Klubi synon të marrë edhe një mbrojtës që mund të përshtatet mirë në qendër.

Ndërkohë, Bekim Balaj ka disa ditë që po stërvitet me ekipin, por shanset për të qenë në fushë nga fillimi ndaj Laçit mbeten të pakta, pasi i është bashkuar grupit me vonesë dhe nuk e ka gjendjen e duhur për të marrë minutat maksimale kundër kurbinasve.
Maringlen ZHIVANI