Problemet nuk kanë të sosur për ekipin e Vllaznisë. Nuk ka ndeshje që stafi teknik i saj të mos ketë mungesa në formacion. Kryesisht për kartona por edhe dëmtimet gjatë kësaj periudhe të fundit nuk kanë qenë të pakta.Nëse në ndeshjen në Laç munguan për arsye dëmtimesh dhe problemesh të tjera shëndetësore Kalaja, Marku e Gocaj, në ndeshjen e rradhës ndaj Teutës do të ketë edhe një mungesë tjetër të deklaruara.
Bëhet fjalë për atë të mbrojtësit malazez Cicmil që u ndëshkua me karton të kuq në përballjen e djeshme. Një vendim që nuk është pritur mirë nga drejtuesit e klubit shkodran sepse mjafton t’u referohesh pamjeve filmike dhe konstaton qartë se maksimumi i ndëshkimit për të, duhej të kishte qenë kartoni i verdhë sepse vërtetë ka patur taka të ngritura por ato nuk kanë prekur fare lojtarin kundërshtar. Gjithsesi ky tashmë është një vendim i marrë dhe nuk mund të ndryshohet. Trajnerit Cungu do t’i duhet të bëjë planet pa të në Durrës. Ashtu siç duhet parë edhe gjendja e tre lojtarëve të tjerë që kanë patur probleme dhe nuk përjashtohet mundësia që të mungojnë sërish. Kalaja e Marku kanë probleme muskulare dhe ato nuk mund të rikuperohen lehtë ndërsa Gocaj para ndeshjes me Laçin ka ndjerë shqetësime të mëdha si pasojë e dhimbjeve që i ka shkaktuar sinoziti dhe për këtë arsye, mjekët e kanë këshilluar të qëndronte pushim. Në këtë mënyrë, bien poshtë edhe aludimet e krijuara në media për arsyen e mungesës së këtij lojtari. Në të tilla pozita, kuptohet që kuqeblutë do ta kenë të vështirë të ndërtojnë formacionin për të kërkuar pikë në takimin që do të luhet jo në orën 17.00 siç u deklarua fillimisht, por të dielën në orën 14.00 në “Niko Dovana”.
© shkodrasport.com