Ka mjaftuar një deklaratë e trajnerit aktual të Vllaznisë Artan Bushati pas ndeshjes miqësore me Tiranën, për të nxjerrë në skenë të gjithë çështjen që shqetëson më shumë se dço gjë tjetër aktualisht këtë skuadër. Bëhet fjalë për përgatitjen fizike të saj. Deri të shtunën që shkoi, gjërat janë kaluar disi heshtur, me idenë se gjërat do merrnin për mirë gradualisht por nuk mund të vazhdohej kështu. Mbase për të dhënë edhe njëfarë justifikimi për situatën aktuale.
Bushati nuk ka dashur të fajësojë askënd ndoshta, për më tepër ish-kolegun e tij Shpëtim Duro që e ka drejtuar këtë skuadër deri në gjysmën e janarit. Por ka dhënë situatën aktuale të Vllaznisë. Megjithatë, që kuqeblutë kanë probleme fizike, kjo nuk është ndonjë gjë e re, e thënë vetëm këto dy ditët e fundit. Madje, po të bisedosh me futbollistët, ata flasin hapur se si janë stërvitur më parë dhe pikërisht ajo mënyrë stërvitje, u ka krijuar jo pak boshllëqe në përgatitjen e tyre.
Duro. Ish-trajneri I kuqebluve në fakt kur u largua nga Vllaznia, në konferencën e fundit për shtyp deklaroi se e linte skuadrën në një gjendje shumë të mirë, përfshi këtu edhe atë fizike. Në fakt nuk ka qenë kështu. Ekipi shkodran, I eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, muajin dhjetor ka zhvilluar stërvitje sa për të mbajtur formën. Për këtë vit, seancat filluam më 7 janar dhe gati për dy javë, ekipi është stërvitur sërish nga Duro por ndonëse duhej të ishte fazë përgatitore, Vllaznia asnjë ditë nuk ka zhvilluar dy seanca. Mbase paksa e papranueshme për një trajner me një përvojë të madhe në pankinë por në fakt, ish-trajneri I Vllaznisë priste nga disa në ditë t’I thonin se ishte ndërprerë kontrata me ta ngaqë edhe vetë e kishte kuptuar se nuk kishte më të ardhme në krye të kësaj pankine. Në një situatë të tillë, ai zgjodhi thjesht të dalë çdo ditë në punë për të zbatuar kontratën por duke lënë një dëm jo të vogël pas, tek përgatitja e futbollistëve.
Futbollistët. Me ardhjen në krye të skuadrës të trajnerit Bushati, filloi “dajaku” për ta. Çdo ditë nga dy seanca, madje me mbi dy orë. Futbollistët e Vllaznisë ndjehen të lodhur. E vlerësojnë punën që po bën trajneri aktual, por tashmë e kanë kuptuar më së miri se situata e mëparshme me Duron nuk u ka shërbyer për mirë. “Mund t’u them se në gjashtë muaj që jemi stërvitur me profesor Shpëtimin (Duron) asnjëherë nuk na kanë dhimbë këmbët më shumë sesa këto ditë që po stërvitemi me profesor Artanin. E kuptonim fare mirë që s’kishim forcë në fushë ndërsa tani, duke qenë se trajneri që ka ardhur, kërkon maksimumin nga ne, e kemi të vështirë të përballojmë ngarkesat pasi më parë jemi stërvitur shumë më ndryshe dhe kjo mënyrë e të stërviturit në fakt paska qenë në dëmin tonë”- ka thënë dje një nga futbollistët e Vllaznisë që gjithsesi nuk ka dashur të identifikohet.
Bushati. Dy javë nuk I kanë mjaftuar për të kapur formën e duhur fizike për rrjedhojë do të vazhdojë “të meremetojë” në këtë drejtim. Për Artan Bushatin në fakt nuk ka qenë vetëm ky problemi. Sulmi dhe në veçanti mbrojtja, kanë patur dobësi të theksuara dhe kanë dashur edhe ato korigjimet e tyre megjithatë asnjë skemë, asnjë ide për taktikën nuk vlen nëse skuadra nuk është mirë nga ana fizike dhe ky duket se është shqetësimi kryesor për Vllazninë në këto momente para nisjes së ndeshjeve zyrtare të kampionatit.
Gjergj KOLA