Shtohen problemet për ekipin e Vllaznisë. Ditët e fundit administratori Gjyrezi kishte paralajmëruar se shumë shpejt do të vinin firmat në kontrata me lojtarë të rëndësishëm të piketuar nga ana e stafit teknik, por në fakt, ka ndodhur e kundërta. Mesfushori malazez I shumëkërkuar, Marko Cetkoviç, pasditen e djeshme ka firmosur në Bosnjë me ekipin e Sarajevës, ndonëse pak ditë më parë gjatë vizitës në Shkodër, u kishte premtuar se do të firmoste me Vllazninë.
Nga ana tjetër, po dje pasdite, edhe një tjetër futbollist I planifikuar të jetë pjesë e skuadrës në sezonin e ri, mbrojtësi beratas Polizoi Arbri, ka zgjedhur ekipin e Kukësit për vazhdimin e karrierës. Ndonëse edhe ai u kishte premtuar drejtuesve shkodranë se do të firmoste për ta, nuk ka ndodhur kështu. Largimi I këtyre dy futbollistëve patjetër që ka prishur jo pak punë tek Vllaznia sepse ende nuk dihet se ku do të gjenden lojtarët për ndërtimin e skuadrës. Trajneri Cungu e kishte paralajmëruar që më përpara se shumë prej lojtarëve nuk dëshirojnë më të vijnë në Shkodër dhe kjo po vërtetohet tashmë ndonëse drejtuesit e klubit po u bëjnë oferta shumë të mira financiare. Fakti që kjo skuadër sërish nuk po ndërtohet për të qenë pretendente, bën që lojtarët cilësorë të hezitojnë për të firmosur me të, ndonëse Vllaznia aktualisht është klubi më korrekt sa I takon zbatimit të kontratave nga ana financiare. Ditët kalojnë dhe tek ky ekip ende mungojnë firmat e rëndësishme dhe prandaj është me interes të shihet se çfarë do të ndodhë ditët e ardhshme dhe me cilët futbollistë do të paraqitet kjo skuadër në sezonin e ri.
© shkodrasport.com