Fitorja të shtunën e kaluar në Lezhë ndaj Besëlidhjes ka qenë shumë e rëndësishme për Vllazninë sepse i ka dhënë tre pikë me shumë vlerë të cilat do ta ndihmojnë atë për të patur një ecuri të qetë në krye të renditjes.

Por kjo ndeshje në vetvete ka shkaktuar disa probleme në kampin shkodran. Tre prej lojtarëve titullarë kanë ndjerë shqetësime pas përfundimit të saj dhe për këtë arsye, në seancën e djeshme nuk janë stërvitur me ekipin.

Bëhet fjalë për mesfushorët Alsid Tafili e Arsen Hajdari si dhe për mbrojtësin Antonio Marku. Ato kësisoj i shtohen edhe kapitenit Lika dhe mbrojtësit Gocaj që nuk luajtën në Lezhë për arsye dëmtimi, duke e çuar në pesë numrin e futbollistëve në dyshim për takimin e rradhës, atë që do të luhet ditën e shtunë në “Reshit Rusi” ndaj Veleçikut.

Në fakt, edhe koplikasit pritet të kenë mungesa në formacion megjithatë ato nuk do të ndikojnë pasi objektivi i kuqebluve është i qartë, për ta fituar edhe ndeshjen e pestë rradhazi dhe për të forcuar edhe më shumë pozitat në krye të renditjes.

Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë sepse edhe skuadra e Malësisë së Madhe ka pretendimet e saj për këtë ndeshje. Dhe për më tepër, ajo pritet të shoqërohet nga një numër i madh tifozësh këtë fundjavë.

Sfida mendohet të dhurojë emocione pavarësisht se Vllaznia duket më lart në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit por kjo nuk do të thotë asgjë.

Trajneri Lika e ka bërë të qartë se do t’i marrë seriozisht të gjitha sfidat sepse vetëm kështu mund të arrihet objektivi.
© shkodrasport.com