Nga Endri ÇINARI
Vllaznia zhgënjeu në ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut duke u mposhtur me rezultatin 1-2. Shkodranët nuk arritën të merrnin asnjë pikë përpara tifozerisë së tyre dhe duke humbur duelin në distancë me Dinamon për sigurimin e vendit të dytë. Por pavarësisht disfatës së fundit, kuqeblutë do “shijojnë” disa ditë pushime, ku janë “shpërblyer” nga trajneri Brdariç.
Ekipi ka qenë pushim që nga e diela dhe do qëndrojë kështu ditën e mërkurë. Për tu rikthyer në fushën stërvitore vetëm këtë mesjavë, ku do nisë edhe përgatitjet për ndeshjen e rradhës. Kështu shumë prej futbollistëve kuqeblu kanë preferuar të kthehen pranë familjeve të tyre. E ndërsa disa të tjerë kanë shfrytëzuar këto ditë pushimi edhe për ndonjë udhëtim jashtë vendit.
Gjithashtu e rëndësishme gjatë këtyre ditëve do jetë rikuperimi i të gjithë futbollistëve në gjendjen optimale. Ku në duelin e rradhës në kampionat kundër Egnatias pritet që me ekipin të bashkohen edhe Qarri e Spahija.
E ndërsa disi më pas me rikuperimin është Repaj, por edhe për mbrojtësi pritshmëritë janë shumë pozitive që ai të jetë nën urdhërat e stafit teknik shumë shpejt.(www.shkodrasport.com)