Nga Endri ÇINARI
Vllaznia e ka nisur vitin 2024 aty ku la vitin 2023, tek fitoret dhe ngjitja në tabelë. Shkodranët arritën ditën e dielë të triumfonin ndaj Kukësit në javën e 19-të të Superiores. Një sukses që u vendos nga një gol i Ildi Grudes që në sekondën e 50-të të takimit dhe ku në fund shifrat përfundimtare ishin 1-0.
Pavarësisht një loje ndoshta jo të nivelit më të mirë, kuqeblutë morën atë çfarë nevojitet më së tepër, pikët e plota. Dhe një skuadër që dukej se do dilte shpejt nga objektivat është rikthyer tek ecuria pozitive. Një meritë absolute për këto fitore të ekipit verior ka Qatip Osmani. Trajneri i cili zëvendësoi Memellin në javën e 11-të të kampionatit.
Tetovari tashmë e drejton Vllazninë prej 9 ndeshjesh dhe shkodranët kanë një prej ecurive më të mira në Superiore. Kështu në 10 raundet e fundit, 9 herë kampionët e vendit kamë grumbulluar 17 pikë. Më mirë se Vllaznia ka bërë vetëm ekipi kryesues i Superioes, Egnatia që ka grumbulluar 21 pikë gjatë kësaj periudhe.
Rezultatet tregojnë qartë dorën e Osmanit, që me eksperiencën dhe qetësinë e tij ka sjellur një frymë tjetër në kampin kuqeblu. Tashmë çdo gjë duket në rrugën e duhur dhe në Shkodër shpresojnë që ekipi të vijojë me rezultatet pozitive edhe në javët e ardhshme. Ku ndeshjet do vështirësohen nga raundi në raund./SHKODRA-SPORT.COM/