Përgatitje fizike dhe ngarkesë maksimale për lojtarët, në mënyrë që Vllaznia të jetë gati për pjesën e dytë të sezonit. Ky ka qenë programi i kuqebluve në ditën e 3-të të mini-fazës përgatitore në Ulqin, ku stërvitjet vazhdojnë me intensitet të lart. Skuadra kërkon të paktën një mbrojtës qendre për ta cilësuar kontingjentin të plotësuar. Nga ana tjeter, stafi teknik i drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka është përqendruar edhe te përshtatja sa më e shpejt e Xhevahir Sukajt dhe mbrojtësit Sedat Berisha.

Përveç punës fizike, bomberi i rikthyer në Shkodër dhe mbrojtësi shqiptar nga Shkupi, po kryejnë punë ekstra për t’u integruar sa më shpejt me grupin dhe për t’u njohur me mënyrën e lojës së skuadrës. E nëse kushtet në Ulqin janë optimale për mini-fazën, çështja e vetme që mbetet për t’u zgjidhur, është gjetja e kundërshtarëve për ndeshje miqësore. Problemi lidhet me faktin që ekipet në Malin e Zi e nisin kampionatin më datë 15.

Te Vllaznia ende nuk është planifikuar diçka konkrete, megjithatë stafi beson se do të ketë mundësi të testojë ekipin përpara startit të kampionatit më datën 27 Janar.