Vllaznia është pranë marrëveshjes me një sponsor të ri zyrtar. Një biznes i ri, i cili do i shtohet qytetit të Shkodrës, mendohet të jetë sponsorizuesi kryesor i klubit për këtë sezon. Kjo do të thotë se “Bavaria” nuk do të jetë më e pranishme në fanellat e futbollistëve të Vllaznisë.
Në vazhdim, klubi shkodran pritet të firmosë një marrëveshje partneriteti me biznesin në fjalë. Marrëveshja do të zyrtarizohet më datë 16 korrik, ndërsa deri më tani akoma nuk është zbuluar as emri i kompanisë dhe as shuma që sponsori do të investojë për sezonin e ri.
Në fakt flitet se sponsori i ri do të hedhë mjaftueshëm para për skuadrën, por ky investim mund të rritet në varësi edhe të marketingut dhe benefiteve që mund të vijnë rrugës.
Së bashku edhe me paratë dhe investimin nga presidenti Alban Xhaferi, Vllaznia mund të kthehet një nga skuadrat pretendente në Superiore për sezonin e ardhshëm, por edhe për avancimin e mëtejshëm në Kupat e Europës, duke nisur nga ndeshjet ndaj Universitatea Kraiova.
Maringlen ZHIVANI