Vllaznia luajti tre miqësore në tokën boshnjake gjatë periudhës dy-javore të qëndrimit në kampingun e Medjugorjes. Ndryshe nga miqësorja e parë, e cila u fitua me rezultat të thellë, 0-4, dy të tjerat u mbyllën në barazim me dy ekipe kundërshtare të Superligës boshnjake.

Pikërisht, në ndeshjen e djeshme ndaj Igman Konjiç, me Vllazninë kanë debutuar edhe tre futbollistë të ardhur në këtë merkato. Kështu, trajneri Migen Memelli ka hedhur në fushë edhe portierin Jurgen Mehidri, mbrojtësin Eslit Sala dhe sulmuesin Bujar Hajdari.

Mehidri dhe Hajdari u afruan së fundmi dhe kjo ishte ndeshja e parë me fanellën e Vllaznisë për këtë dyshe, teksa mësohet se stafi teknik ka shprehur vlerësime për ta. Nga ana tjetër, edhe Sala u hodh në fushë për llogari të prapavijës dhe luajti ditën e djeshme ndeshjen e tij të parë me Vllazninë.

Ky futbollist ka nënshkruar prej kohësh me ekipin kuqeblu, por ai nuk ka qenë në fushë në dy ndeshjet e para miqësore për arsye dëmtimi. Tashmë, Vllaznia është rikthyer në Shkodër ditën e sotme dhe në vijim mbetet për t’u parë programi dhe axhenda e ekipit kuqeblu për pjesën tjetër të ditëve deri në prag-ndeshjen me Linfield.
Maringlen ZHIVANI