Ekipi i Vllaznisë ka vijuar edhe ditën e sotme me përgatitjet për ndeshjen e së enjtes ndaj Partizanit e cila do të luhet në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Një përballje shumë e rëndësishme ndaj kampionëve në fuqi të vendit dhe që do të tregojë edhe forcën e vërtetë të kuqebluve.
Stafi teknik ndërkohë është duke parë me shumë kujdes edhe situatën e dy lojtarëve që kanë patur probleme me dëmtimet, pikërisht të mbrojtësit Marko Juriç dhe mesfushorit Ardit Krymi.
Kuptohet që shqetësimi më i madh është për mbrojtësin sepse pa Juriç në fushë, skuadra ka shfaqur probleme dhe prandaj shpresat janë te rikuperimi i tij, por nga ana tjetër trajneri Memelli dhe stafi i tij po mendojnë edhe alternativa të tjera.
E sigurtë duket që Cheshmedjiev nuk do të luajë më në qendër të mbrojtjes ashtu siç bëri ndaj Erzenit ku duhet thënë që paraqitja e tij la shumë për të dëshiruar. Pikërisht për këtë arsye, një alternativë serioze është Gledjan Pusi. Ai luajti për disa minuta ndaj shijakasve dhe bëri mirë, prandaj ai mund të luajë si titullar nga minuta e parë të enjten ndaj të kuqve.
Por një tjetër alternativë është edhe aktivizimi i 20 vjeçarit Flori Spahija. Në miqësoren ndaj Deçiq u aktivizua 55 minuta në atë pozicion dhe mori vlerësime nga stafi, prandaj nuk do të ishte çudi që të luante edhe ai në formacion. Megjithatë deri të enjten gjithçka mund të ndodhë dhe shpresat pikësëpari janë tek rikuperimi i Juriç./SHKODRA-SPORT.COM/