Edhe të dielën ndaj Flamurtarit në ndeshjen e tretë të kampionatit, ekipi I Vllaznisë pritet të luajë me të njëjtin formacion si në dy javët e para. Përderisa, me atë 11-she ka patur sukses, stafi teknik nuk ka ndër mend të ndryshojë. I vetmi dyshim megjithatë ka të bëjë me mbrojtësin Olsi Gocaj. Ai është dëmtuar në minutat e fundit të ndeshjes me Partizanin dhe si rrjedhojë tashmë duhet parë rikuperimi I tij. Megjithatë, gjasat janë që edhe ai të rikuperohet deri në fund të javës dhe të jetë në fushë nga minuta e parë. Por, nëse trajneri Cungu nuk ka ndër mend të ndryshojë sa I takon formacionit, sigurisht që do të ndryshojë jo pak gjëra për mënyrën e të luajturit. Kjo ngaqë për sfidën ndaj vlonjatëve, skuadra duhet të ketë karakter më sulmues me qëllim kërkimin me çdo kusht të fitores së parë të kampionatit.
Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë një gjë e tillë sepse kuqeblutë kanë hasur probleme sa I takon gjetjes së golit, kjo sepse mungon një sulmues I mirëfilltë. Përveç kësaj, edhe mënyra e lojës së skuadrës në dy ndeshjet e para nuk ka qenë shumë sulmuese dhe kjo patjetër që do të ndryshojë për takimin e së dielës sepse duhet patjetër marrja e fitores në këtë ndeshje. Vllaznia- Flamurtari është një sfidë shumë e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të skuadrës shkodrane në kampionat. Në rast fitoreje të saj, kuptohet që ecuria e mëtejshme do të jetë shumë më positive megjithatë trajneri Cungu nuk ka dëshirë që ta marrë të lehtë këtë sfidë. Përkundrazi, ai po punon jo pak që futbollistët të mos e marrin të lehtë përballjen me vlonjatët të cilët edhe ata kanë treguar një formë të mirë sportive në dy javët e para të kampionatit.
© shkodrasport.com