Tashmë është plotësisht e qartë. Vllaznia në takimin e sotëm ndaj Shkumbinit do luajë pa disa nga titullarët e saj të lënë pushim nga ana e stafit drejtues. Kjo nuk do thotë se ky është një “favor” që I bëhet peqinasve, përkundrazi. Nuk do luajnë kapiteni Belisha dhe pesë malazezët, të cilët janë lënë pushim nga ana e stafit drejtues. Në fushë do jenë disa lojtarë të rinj shkodranë të cilët kanë mundësi të tregojnë vlerat e tyre dhe për rrjedhojë, këtyre futbollistëve do t’u kërkohet patjetër fitorja. Kjo është deklarata që ka bërë trajneri I Vllaznisë Armir Grima në këtë pragndeshje kur ka thënë:
“Meqenëse Vllaznia pas fitores me Dinamon I arriti objektivat e saj, vendosëm t’I lëmë pushim disa prej titullarëve. Kuptohet nuk ndikoheshim shumë nga pretendimet apo jo që mund të kishte Shkumbini. Por pas vendimit të Komisionit të Disiplinës për dënimin e peqinasve, ndeshja jonë mori rëndësi për disa skuadra të tjera por ne sigurisht që nuk mund të ndryshonim planet tona sepse nuk kemi arsye për ta bërë këtë gjë. Në fushë do jenë disa nga titullarët dhe disa futbollistë të tjerë që kanë luajtur pak ose nuk kanë gjetur hapësirat e duhura gjatë sezonit. Ajo çfarë do t’u kërkojmë para ndeshjes këtyre futbollistëve që do luajnë, është fitorja sepse ky është edhe një test I mirë për ta”. Formacioni me të cilin do luajë Vllaznia në takimin e sotëm ende nuk është përcaktuar por dihet që janë disa mungesa. Kështu, në portë këtë herë nuk do jetë Vujadinoviç për arsye se ka plotësuar numrin tre të kartonave të verdhë me atë që ka marrë ndaj Dinamos dhe do jetë I detyruar të pushojë pas 25 ndeshjeve të plota në këtë kampionat. Në vend të tij do luajë shqiptaro-malazezi Gjokoviç I cili kësisoj debuton në ndeshjet e kampionatit. Në mbrojtje, në krahun e djathtë do luajë Sykaj, në qendër Smajli që do mbajë edhe shirin e kapitenit si dhe Kraja ndërsa në krahun e majtë do jetë mbrojtësi I ekipit të të rinjve- Ujka. Ky I fundit pritet të jetë risia e kuqebluve për këtë ndeshje. Në mesfushë ndërkohë, pritet të luajë Shaba në të majtë, Gocaj në të djathtë dhe Dema e Karakaçi në qendër. Në sulm ndërkohë pritet të jenë Hajdari dhe Gjini. Në pamje të parë duket një formacion I rinuar por me përjashtim të Ujkajt që luan për herë të parë në një ndeshje kampionati, të tjerët vazhdimisht kanë qenë pjesë e skuadrës këtë sezon. Në këtë mënyrë, mungesat e Belishës, Petroviç, Popoviç, Brnoviç e Jabllan, nuk pritet të ketë ndonjë ndikim në skuadër. Përkundrazi, me formacionin e sotëm pritet të shihet Vllaznia e vërtetë me shkodranë (me përjashtim të portierit). Kuqeblutë do kërkojnë fitoren me këtë 11-sh për të nderuar kampionatin por edhe për t’I treguar drejtuesve të klubit se duhet patur më shumë besim tek ata sesa tek disa të huaj të rëndomtë që vijnë e marrin mijëra euro dhe largohen pa lënë asnjë gjurmë. Vllaznia- Shkumbini kësisoj pritet të jetë një sfidë shumë interesante. Me peqinasit që do bëjnë çmos për të fituar për të mos shkuar në play-out dhe me një Vllazni të motivuar për ta mbyllur këtë kampionat me fitore, aq më tepër që luan edhe në Shkodër.
Gjergj KOLA