Barazimi ndaj Luftëtarit në ndeshjen e kaluar ka lënë një shije të hidhur tek të gjithë në Shkodër. U mendua se do ishte një ndeshje e fituar, por në fakt nuk ndodhi kështu dhe arsyet janë të shumta, duke nisur nga mosimpenjimi sa duhet i futbollistëve në fushë dhe për të përfunduar me mungesën e fatit sepse topi goditi dy herë traversën e portës gjirokatrite por nuk përfundoi në rrjetë.

Ekipi ndërkohë ka nisur përgatitjet për sfidën e rradhës, atë që do të luajë ditën e dielë po në Shkodër, këtë herë ndaj Skënderbeut. Kuptohet që koefiçenti i vështirësisë së këtij takimi është më i madh, megjithatë në kampin shkodran po marrin masat e duhura për ta kaluar me sukses atë.

Pozitiv është fakti se rikthehet nga skualifikimi mesfushori Ramadani dhe me shumë të ngjarë edhe dy lojtarët e dëmtuar, Gligorov dhe Krymi do t’i lënë pas problemet që kanë patur dhe do të jenë në fushë.

Nëse ndodh kështu, atëherë pritet që formacioni të ndryshojë tërësisht duke filluar nga mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Vllaznia nuk mund të lërë më pikë në fushën e saj dhe për këtë arsye, do tentojë me çdo kusht të marrë fitoren ndaj korçarëve.
www.shkodrasport.com