Drejtuesit e Vllaznisë kanë vendosur një “black out” informativ edhe pse i pret një ndeshje e rëndësishme ndaj Flamurtarit. Askush prej drejtuesve të skuadrës nuk preferon të flasë, madje janë shumë të shpejtë në përgjigjen, se nuk do të kenë marrëdhënie me shtypin gjatë kësaj jave. Duke parë që “heshtja e shtypit” është vendosur për lojtarët e skuadrës, natyrisht, pjesa e drejtuesve duhet të japë opinionin e saj për një ndeshje aspak të lehtë.
Kemi tentuar të marrim në intervistë drejtorin teknik të Vllaznisë, Armir Grima. Por përgjigjia e tij ka qenë shumë e ftohtë, duke mos dashur të japë asnjë mendim. “Jemi në heshtje shtypi”, me kaq është mjaftuar një prej pjesëtarëve më të rëndësishëm të stafit drejtues të Vllaznisë. Sigurisht që është e drejta e ekipit të heshtë e të mos prononcohet, por është dhe e drejta e tifozëve që të informohen.
Futbollistët – Pavarësisht se drejtuesit nuk kanë as më të voglin guxim për t’u prononcuar, për shkak se i tremben një tjetër rezulati negativ në ndeshjen ndaj Flamurtarit, futbollistët janë shprehur të bindur se do ta fitojnë takimin. Përveç faktit që lojtarët duan t’i japin pak më shumë motiv kësaj sfide, ata bazohen tek ndeshja Skënderbeu – Flamurtari si një ndër faktorët matës për të arritur suksesin.
Në fund, kuqeblutë kërkojnë dhe një mbështetje nga tifozeria shkodrane, meqenëse ndeshja luhet në shtëpi. Ata janë të gatshëm të premtojnë se do të bëjnë më të mirën e mundshme, por këtë nuk mund ta thonë me emra të përveçëm, pasi një gjobë në fund të vitit do të ishte e tepërt.
Anton ZALLI