Vllaznia ka përfituar vetëm nga barazimi I Besës me Laçin në ndeshjet e javës së 28-të ndërkohë që në rezultatet e tjera të saj nuk ka patur ndonjë surprizë. Megjithatë, java përgjithësisht konsiderohet positive për kuqeblutë. Me barazimin e fundit, ata I janë shkëputur tre pikë kavajasve por mbi të gjitha, kanë lënë sërish poshtë vetes në renditje Tiranën dhe Flamurtarin. Situata duket positive megjithatë nuk është gjithçka sepse Vllaznisë I duhet patjetër të marrë fitoren në ndeshjen e rradhës. Ajo do të luhet ditën e shtunë në orën 14.00 në Krujë ndaj Kastriotit vendas dhe konsiderohet shumë përcaktuese për të ardhmen.

Pritet që edhe në këtë ndeshje, ashtu si dhe në Lushnjë, një javë më parë, klubi Vllaznia të vërë në dispozicion të tifozëve dy autobuzë në mënyrë që ata ta mbështesin fuqimisht skuadrën. Shpresat për mbijetesë janë të mëdha e mbi të gjitha tashmë çdo gjë është në dorën e vetë kuqebluve. Por në fakt, një situatë e tillë duhet të marrë zgjidhje sa më parë. Ka kohë që flitet se në fund të këtij sezoni, do të ndërrojë statusi I klubit dhe kalimi I tij sërish në duart e biznesmenëve. Kjo është një domosdoshmëri. Edhe drejtuesit aktualë janë lodhur nga kjo situatë dhe janë gati të heqin dorë. Për më tepër, që askush nuk kënaqet me një ecuri të tillë të Vllaznisë që lufton për mbijetesë. Në rrethana të tilla, e rëndësishme është që për momentin të sigurohet qëndrimi në Superligë, për të menduar pastaj për gjërat e tjera por natyrisht që diçka duhet ndryshuar sa më parë.