Ekipet e Superiores do e mbyllin aktivitetin e tyre për vitin 2024 në datën 22 dhjetor. Për t’u lënë skuadrave disa ditë pushim para kthimit në fushën e lojës në janarin e vitit 2025.
Por, skuadrat patjetër duhet të mendojnë edhe për fazën përgatitore të dimrit. Dhe në këtë aspekt, Vllaznia duket një “hap” para të tjerëve. Kjo pasi drejtuesit e klubit kuqeblu po punojnë për zhvillimet e një fazë dimërore sa më cilësore dhe me kushtet maksimale. Nga ajo çfarë mëson “Panorama Sport”, 9 herë kampionët e vendit do i zhvillojnë përgatitjet e dimrit në Dubai.
Këto ditë, presidenti Xhaferi i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të klubit ka zhvilluar një vizitë në vendin aziatik. Ku duket se ka parë gjithçka përsa u përket ambienteve dhe mundësive që ka Vllaznia për të zhvilluar ndeshje miqësore me ekipet vendëse.
Ditët në vijim do merret vesh konkretisht se ku do e zhvillojnë fazën përgatitore kuqeblutë. Të cilët këtë sezon kanë ambicie të mëdha dhe presidenca e klubit po i plotëson çdo kusht. Duke i ofruar shansin e një faze përgatitore në Dubai, që është një luks për çdo ekip shqiptar.