Fitorja ndaj Flamurtarit është arkivuar shpejt te Vllaznia ku mendohet për ndeshjen e radhës.

Në analizën e tij para përgatitjeve për sfidën me Kamzën, trajneri Ernest Gjoka ka kërkuar të mbajë ekipin me këmbë në tokë.

Fitorja ndaj Flamurtarit , më e thella e këtij sezoni duhet konsideruar si një bazë e mirë për vazhdimësinë, duke evituar euforinë, diçka që Vllaznia e ka paguar thuajse në mënyrë konstante në këto sezonet e fundit, duke u bërë pre e oshilacioneve.

Trajneri e ka konsideruar sfidën e radhës me Kamzën, si më deçizive se ajo ndaj vlonjatëve.

Tekniku kërkon të çimentojë në skuadër mentalitetin fitues duke e bërë të qartë se betejat për Vllazninë këtë sezon janë njëra pas tjetrës dhe skuadrës i duhet të tregojë kujdes maksimal ndaj Kamzës, skuadër që e ka mundur Vllazninë në shtëpi në fazën e parë.

Tekniku i ka kërkuar futbollistëve madje që të evitojnë daljet mediatike, për t’u fokusuar tërësisht te përgatitjet për sfidën e së shtunës pa u shpërqëndruar nga faktorët e jashtëm.

Rezultatet e fundit kanë rritur besimin për potencialin në skuadër, dhe momenti duket ideal që Vllaznia të thyejë edhe një tabu të këtij sezoni, pikërisht ndeshjet në transfertë.

Në 12 takime të luajtura jashtë Loro Boriçit, Vllaznia ka grumbulluar vetëm 9 pikë, duke rezultuar skuadra e dytë më e dobët e kampionatit në ndeshjet jashtë, pas Lushnjës, statistikë që duhet përmirësuar, për të fituar qetësi në luftën për mbijetesë, Vllaznisë i duhet të bëjë pikë edhe jashtë mureve mike.