Vllaznia ende nuk ka bërë asnjë afrim zyrtar. Shkodranët këtë sezon luajnë në Superiore dhe kërkojnë të jenë një tjetër skuadër në krahasim me dy sezone më parë.

Engin Firat, drejtori sportiv i kuqebluve, një ditë më parë doli me një deklaratë dhe theksoi se deri në fund të muajit do tentojnë të bëjnë afrimet e duhura në skuadër. Po deri tani, gjithçka ka mbetur vetëm në kuadrin e deklaratave. Ditën e djeshme kanë filluar të lakohen edhe emrat e parë.

Një prej tyre është ai i sulmuesit shkodran Rubin Hebaj. Lojtari që mbylli sezonin e shkuar me Partizanin dhe që ishte pjesë e ekipit të Domzhales tani është një futbollist i lirë. Ai mbylli edhe kontratën me ekipin e Domzhales dhe tani, me sa duket, interesimi për ta ka nisur nga ekipet e Superiores.

Nga sa mësohet, drejtuesit e klubit të Partizanit e kanë kontaktuar menjëherë lojtarin, por në këto momente lojtari që pati pak minuta në këmbët e tij në sezonin e shkuar dhe arriti të shënojë 4 gola, ka një objektiv personal. Ai kërkon që në këtë sezon të jetë titullar dhe të mos i mungojnë minutat e aktivizimit. Kjo ka bërë që Hebaj të mos ketë pranuar menjëherë ofertën e mbërritur.

Ama, sulmuesi shkodran ka edhe një pistë tejet të mirë për të qenë titullar dhe për më tepër për të dhënë atë që nisi para tri sezonesh për ekipin e Vllaznisë. Ajo që mësohet është se drejtuesit e klubit ende nuk kanë filluar kontaktet direkte me lojtarin, por prapaskenat për ta marrë atë te Vllaznia duket se kanë nisur.

Mirëpo, ajo që mund të bëjë Hebajn të mendohet dy herë për t’i dhënë një përgjigje klubit prej nga doli është situata që po kalon momentalisht Vllaznia. Kjo shikohet ndoshta si një nga pengesat për ta bashkuar sërish atë me ekipin kuqeblu. Megjithatë, afrimi i një sulmuesi si Hebaj do të ishte tejet pozitiv edhe për kuqeblutë, falë edhe eksperiencës që ai ka fituar.

“PAZAR” TE KASTRIOTI

Vllaznia ka hedhur sytë nga Kastrioti për t’u përforcuar me elementë që mund të vlejnë. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Dajan Shehi dhe mesfushorin Herald Marku. Të dy spikatën me Kastriotin, ndërsa tashmë janë futur në bisedime me klubin shkodran.

Te Vllaznia nuk e kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë. Shehi ka qenë në kontratë me Teutën, por doli i lirë pas përfundimit të sezonit, teksa me krutanët luajti si i huazuar. Lojtari elbasanas është vetëm 22 vjeç, teksa për të interesohet edhe Tirana. Ndërsa futbollisti 23-vjeçar, Marku, për herë të parë në Superiore është aktivizuar me Tërbunin, për të provuar më pas veten në Gjermani.

Këtë verë ai u rikthye në Shqipëri dhe me krutanët është aktivizuar në 23 ndeshje (20 titullar) dhe ka shënuar pesë gola. Marku mund të aktivizohet në disa pozicione, si në treshen e qendrës së mesfushës, në krah të sulmit, por ka provuar të luajë edhe në linjën e majtë të prapavijës. Interesim për shërbimet e mesfushorit nuk ka vetëm nga Vllaznia dhe mbetet të shihet se ku do ta vijojë karrierën./panorama-sport/