Tek Vllaznia të gjithë drejtuesit e saj, bashkë me trajnerin Shpëtim Duro janë hedhur në sulm për të gjetur lojtarët e duhur në merkato. Dhe në fakt kërkohen jo pak por plot 8 të tillë. Ata I përkasin reparteve të mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit. Vetëm portës jo sepse ajo duket “e blinduar”. Kuqeblutë janë treguar të “mençur” në këtë drejtim. Prej kohësh kanë mbyllur kontratat me dy portierët malazezë Vujadinoviç dhe Gjokoviç dhe gjatë kësaj periudhe nuk do shohin fare drejt portës. Ky I dyti, pra shqiptaro-malazezi Enis Gjokoviç, erdhi verën e kaluar në Shkodër dhe drejtuesit e Vllaznisë I ofruan një kontratë dyvjeçare që ai e firmosi pa asnjë mëdyshje. Sigurisht që ai nuk pati shumë nevojë që të tregonte aftësitë e tij në sezonin që sapo përfundoi sepse në portë ka qenë gjithnjë Vujadinoviç megjithatë shtatëlarti nga Tuzi në ndeshjen e fundit të kampionatit me Shkumbinin tregoi një formë shumë të mirë sportive e po këtë gjë ka bërë edhe në ndeshjet e kupës ku ka luajtur. Për këto arsye, ai shihet I domosdoshëm në skuadër për të qenë rezervë e portierit titullar.Për këtë arsye, drejtuesit e Vllaznia kanë kthyer mbrapsht edhe ndonjë ofertë që u ka ardhur atyre nga ndonjë skuadër tjetër e Superligës apo dhe e kategorisë së parë sepse u duhet ta kenë në skuadër. megjithatë vëmendja kryesore është e përqendruar sërish tek Miroslav Vujadinoviç. Krerët kuqeblu nxituan që në muajin shkurt të firmosnin një kontratë të re me këtë portier dhe e bënë këtë gjë. Çka do të thotë që “Vujke”, kështu e thërrasin shokët e skuadrës, të jetë I lidhur me Vllazninë deri më 30 qershor 2013. Ky ka qenë një lajm I mirë në fakt, ashtu si dhe rinovimi me Smajlin, Gocajn dhe Hajdarin sepse të mos kishin qenë edhe këto firma, llogarite se çfarë rrëmuje do kishte qenë sot në skuadër. Por llogaritë nga drejtuesit kuqeblu u bënë ndryshe duke I lidhur në kontratë këta futbollistë. Duke nisur nga Vujadinoviç por pak ditë më parë, pati zëra se ai kishte marrë një ofertë nga një skuadër polake dhe mund të largohej ngaqë kishte një pikë të shkruar në kontratë për t’u larguar jashtë vendit por drejtuesit shkodranë nxituan të bëjnë publike kontratën e tij në të cilën nuk ka asnjë klauzolë të tillë. Në kushte të tilla, 29 vjeçari nga Podgorica do vazhdojë të luajë në “Loro Boriçi” duke qenë një garanci e madhe për portën e Vllaznisë. Përveç këtyre dy portierëve ka edhe të tjerë të rinj. Në janar me skuadrën u pat bashkuar edhe Ervin Hallunaj si portier I tretë ndërkohë që tashmë është kthyer pranë skuadrës edhe Fabjol Rexhepi I cili u huazua për gjysmën e dytë të sezonit tek Naftëtari ku bëri një paraqitje shumë të mirë. Ai është sërish nën kontratë me skuadrën shkodrane dhe ende nuk është bërë e qartë nëse do qëndrojë aty apo do huazohet sërish në ndonjë skuadër tjetër për sezonin e ri. Me këtë kontigjent portierës, Vllaznia duket e sigurtë për sezonin e ri. Nuk ka nevojë për merkato, nuk do ketë asnjë shqetësim deri në fundin e sezonit të ardhshëm në këtë drejtim dhe kjo është shumë positive. Ajo që mbetet është plotësimi I skuadrës në repartet e tjera tek të cilat ka patjetër nevojë për ndërhyrje rrënjësore. 
Gjergj KOLA