Nisja e merkatos së dimrit ende nuk ka filluar të japë ndonjë sinjal tek Vllaznia. Skuadra shkodrane ndonëse nuk I ka pozitat aspak të mira në renditje, ende nuk e ka të qartë nëse do të bëjë ndonjë lëvizje. Gjithçka varet nga financat që drejtuesit e klubit do vendosin për këtë qëllim megjithatë kjo gjë do merret vesh në ditët e ardhshme. Në rradhë të parë, do shikohet se kush do largohet nga skuadra. Po flitet për një largim të mundshëm të Seminës dhe Ramadanit por ata të dy mund të mos jenë të vetmit. Ende nuk dihet situata e kapitenit Beqiri. Ai është gjobitur nga klubi pak kohë më parë dhe lojtari nuk është dakord me të dhe prandaj në ditët e ardhshme, pas kthimit të administratorit Gjyrezi nga Italia, do bisedojë me të për të diskutuar për të ardhmen. Nëse edhe ai do largohet, atëherë numri I vendeve për t’u zëvendësuar në skuadër shkon në tre. Për ta bërë këtë gjë, natyrisht që drejtuesit e klubit nuk duan të gjenden të papërgatitur. Për këtë, thuhet se po shikohet mundësia për të marrë lojtarë të tjerë. Tregu më I mundshëm do jetë ai I Kosovës por edhe nga vende të tjera të Ballkanit, Mali I Zi dhe Kroacia. Një tjetër opsion është edhe rikthimi I mbrojtësit shkodran Antonio Marku I cili fazën e parë ka luajtur me Kukësin. Në këtë mënyrë, ditët në vijim do të ketë më shumë të reja për merkaton e Vllaznisë por e sigurtë është që lëvizjet e kësaj skuadre do jenë me pikatore.

www.shkodrasport.com