Klubi Futbollit Vllaznia SH.A do të ketë 60 milionë lekë të vjetra më shumë. Miratimi ka ardhur në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Në rendin e ditës ka qenë e parashikuar edhe propozimi “për dhënie fondi 6 milionë lekë për zmadhim kapiteli themeltar”. Edhe pse opozita ka qenë kundër këtij propozimi për shkak të dyshimeve për dhënien e kësaj shume dhe menaxhimin e saj më pas, është miratuar me votat e maxhorancës që ka shumicën në Këshillin e Bashkisë Shkodër.

Rreth kësaj pike të rendit të ditës ka patur disa diskutime por në fund është miratuar me shumë rezerva. “Unë për vete se kuptoj. Dakord. Mirë ! Ky 6 milionësh çfarë është?- pyet këshilltari i djathtë Paulin Radovani. Më tej ai vijon: “I jep Bashkia për Vllazninë, e rivlerëson Vllazninë, ia rrit vlerën prej 2 milionë në 8 milionë, pastaj e shet me aksione” – shprehet çuditshëm Radovani. Mes ironisë therëse ai jep edhe shembuj. “I blejmë aksionet përshembull unë dhe Xhevdet Amuli meqë e kam këtu në krah 10 milionë” – dhe qesh. “Le ta mbyllim këtu këtë lojë” – përfundon fjalën e tij këshilltari Radovani, një ish-donator i mëprashëm i Vllaznisë dhe një nga emrat e përfolur aktulisht për të qenë një aksionerët e Klubit Vllaznia Sh.A kur pritet të formohet në muajin janar të vitit të ardhshëm. Më tej ka folur edhe një tjëter Këshilltar i djathtë, edhe ai me një dyshim të tijin. Bëhet fjalë për Edi Telin që duket se ka shqyrtuar mirë ligjet dhe nenet përkatëse. “Pjesë e diskutimit tim është për profesionalizëm. Këtu kërkohet “miratim për dhënie fondi 6 milionë lekë për zmadhim kapitali themeltar”. Kapim termin “për zmadhim kapitali themeltar”. Meqenëse nuk janë ngritur edhe Komisionet diskutimet bëhen edhe më të përgjithshme, Nëse lexohet ligji mbi “Shoqëritë Tregtare”, në nenin 135 thuhet se Asambleja e përgjithshme, pra në këtë rast Klubi Vllaznia që është “Shoqëri Anonime”. Atëherë Asambleja e përgjithshme meqenëse është një aksionar, këtë rol e ka Bashkia. Unë shtoj mendimin se pse duhet të kërkohet miratim edhe nga Këshilli i Bashkisë? – sepse për mendimin tim është tagër e Kryetarit të Bashkisë, meqë përfaqësohet vetëm nga një aksionar i vetëm. Pika 4 e nenit 135 thotë: “nëse shoqëria zotërohet nga një aksionar, të drejtat dhe detyrimet e Asamblesë së përgjithshme ushtrohen ng aksionari i vetëm”. Pra diskutimi është se Asambleja e përgjithshme në kuadrin kur ka një aksionar nuk mund të krijohet” – ka përfunduar këshilltari Teli. Menjëherë me një përgjigje të përgjithshme për të gjitha dyshimet ka reaguar Nënkryetari Bashkisë Shkodër Ridvan Troshani, njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikqyrës të Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a. “Kjo shtesë e Kapitalit themeltar që bëhet në bazë të nenit 173, si contribute të reja bëhen me vendim të aksionerit të vetëm. Plotësisht dakord. Por fondet për t’i dhënë të drejtën aksionarit të vetëm që është Kryetari Bashkisë për të rëgjistruar në regjistrin tregtar të “Shoqërisë Aksionere” bëhen me vendim të Këshillit Bashkiak. Këto fonde janë marrë nga diferencat e gjithë procesit të aktivitetit të Bashkisë Shkodër. Ky është vendimi i sotshëm i Këshillit Bashkiak” – ka shpjeguar Nënkryetari Troshani. Një temë e diskutuar ka qenë edhe mënyra sesi do të shiten aksionet e Vllaznisë sepse fondi i miratuar prej 60 milionë lekësh të vjetra i shtohet kapitalit themeltar prej 20 milionësh. Këshilltarët kanë hedhur idenë që një aksion të shitet më shtrenjtë sa ka vlerën aktualisht, gjë e cila nga ata që janë pjesë e Këshillit Bashkiak por drejtojnë edhe biznese të ndryshme është kundërshtuar duke u cilësuar si e padrejtë dhe e pakuptimtë. Megjithatë deri në janar, kur do të diskutohet për shitjen e aksioneve do të ketë një tjetër mbledhje në Këshillin Bashkiak për të vendosur qoftë mbi vlerën e aksioneve po ashtu edhe proceduren sesi do të veprohet.

 

Senad Nikshiqi