Ekipi I Vllaznisë në futboll për femra ka nisur fazën përgatitore përpara pjesmarrjes në ndeshjet e Ligës së Kampioneve që zhvillohen muajin e ardhshëm në Sarajevë të Bosnjës. Vajzat e këtij ekipi dy herë në ditë janë në dispozicion të trajnerëve Nikolin Leka dhe Arben Parmeza për të zhvilluar planin stërvitor të hartuar prej tyre.
Gjithçka deri më tani duket se po shkon në mënyrën e duhur dhe përgatitjet janë sipas planeve të bëra. E ndërsa stafi teknik dhe futbollistet janë në fushën e stërvitjes çdo ditë, presidenti Lazer Matija vijon përpjekjet e tij për ta forcuar edhe më shumë skuadrën.
Përveç dy futbollisteve të Apolonisë të cilat kanë ditë që I janë bashkuar ekipit shkodran në stërvitje dhe do të jenë përforcim për ndeshjet europiane, së fundmi me Vllazninë në stërvitje janë bashkuar edhe dy futbolliste malazeze. Ato luajnë në mesfushë dhe mbrojtje duke e kompletuar edhe më shumë skuadrën.
E vetmja pikë e dobët tani që ka mbetur pa u plotësuar siç duhet, është porta. Presidenti Matija po bën të gjitha përpjekjet për gjetjen e një portiereje cilësore por deri më tani akoma nuk ka arritur asnjë marrëveshje.
Përpjekjet do të bëhen deri në fund dhe nëse gjendet edhe një lojtare cilësore për këtë repart, atëherë ekipi mund të quhet I kompletuar. Objektivi I tij sigurisht që është I qartë: Për të synuar deri në fund kalimin e turit të parë. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë përballë kampioneve të Bosnjës, Estonisë dhe Moldavisë.
Megjithatë, Vllaznia atë atë që ndoshta padrejtësisht vitin e kaluar nuk e mori, do të tentojë ta marrë këtë vit. Kjo do të ishte diçka historike për futbollin shqiptar të femrave.
© shkodrasport.com