Ekipi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj ka bërë realitet edhe marrjen e një tjetër volejbollisti të huaj. Bëhet fjalë për malazezin Nikola Kuç. Ai është federuar pikërisht pasditen e datës 31 janar, që ka qenë e fundit e mbylljes së merkatos. Në këtë mënyrë, ka shkuar në dy numri i të huajve tek ekipi shkodran pasi pak ditë më parë firmosi me të edhe malazezi tjetër Dragan Boshkoviç. Me këto përforcime, duket qartë se Vllaznia nuk ka ndër mend ta lëshojë kollaj vendin e parë që mban aktualisht në renditje pas përfundimit të fazës së parë të kampionatit.

Por nga ana tjetër, jo vetëm ajo ka bërë përforcime. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Studenti që ka marrë tre volejbollistë të huaj por edhe Tirana që ka marrë edhe ajo një të huaj. Kësisoj gara në fazën e dytë të kampionatit dhe më së shumti në play- off pritet të jetë shumë e fortë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Artan Kalaja duket shumë i vendosur për të bërë realitet ëndrrën e madhe e të shpallurit kampion për të parën herë në historinë e tij. Afrimi i disa donatorëve dhe mbi të gjitha i disa ish- volejbollistëve pranë ekipit, ka krijuar një klimë shumë optimiste tek sportistët dhe stafi drejtues dhe tashmë përgjegjësia mbi ta është edhe më e madhe për ta justifikuar këtë mbështetje me një titull kampion.

www.shkodrasport.com