Dëmtimet kanë qenë armiku më i madh i Vllaznisë në këtë nisje të sezonit. Ante Aralica, Liridon Latifi, Esin Hakaj, Lorik Boshnjaku dhe Darko Bulatoviç janë futbollistët që kanë shfaqur probleme fizike vetëm në pesë javët e para të kampionatit.

Lajm i mirë është se shumica prej tyre janë rikuperuar, por shqetësuese mbetet situata për Boshnjakun dhe Bulatoviç, të cilët munguan edhe në ndeshjen me Kastriotin. Boshnjaku vijon të vuajë problemet muskulore pas asaj tërheqje të pësuar në ndeshjen ndaj Egnatias. Nga ana tjetër, Bulatoviç vijon periudhën e rehabilitimit për një dëmtim në kavilje, që e ka mbajtur jashtë në ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit.

Gjithsesi, pauza prej aktiviteteve të ekipit të Kombëtares ka ardhur pikërisht në kohën e duhur për kuqeblutë. Pak nga pak gjatë seancave stërvitore, Josa pritet t’i ketë të gjithë futbollistët në dispozicion.

Në vazhdim, Bulatoviç dhe Boshnjaku pritet të ingranohen gradualisht në stërvitje me grupin dhe të jenë gati për ndeshjen me Teutën në ditët e fundit të shtatorit. Edhe Latifi pritet gjithashtu të jetë gati dhe me shumë mundësi Josa, më në fund do ta ketë ekipin të plotë në dispozicion në ndeshjen me durrsakët.

Gjithsesi, duhet parë çdo gjë në vazhdim edhe se si do të shkojë rikuperimi i Boshnjakut dhe Bulatoviç. Në rast se do të jenë tërësisht gati fizikisht, Boshnjaku dhe Bulatoviç pritet të jenë titullarë, shto këtu pastaj edhe rikthimin e Liridon Latifit, teksa me shumë mundësi nëse do të mund të jenë gati deri në ndeshjen ndaj Teutës, që të tre pritet të jenë në formacionin e trajnerit të Vllaznisë, Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI