Pas pesë javëve kampionat, Vllaznia ka gjetur qetësinë e nevojshme. Klubi shkodran ka pasur pothuajse të njëjtët futbollistë që kanë mbajtur mbi shpatulla këto ndeshje të para të kampionatit, me pak rotacion. Gjithë këto minuta nga titullarët, kanë shkaktuar deri diku edhe lodhje fizike tek ata, ku në ndeshjet e fundit janë kryer zëvendësime në sajë dëmtimesh apo lodhjeje.

Kujtojmë këtu që, ekipi i Vllaznisë ishte ndër të parët që u mblodh para ndeshjeve të Conference League për të vijuar përgatitjet dhe një pjesë e ekipit u zyrtarizua para fazës përgatitore. Fatmirësisht, këto lëndime të Boshnjakut dhe Bulatoviç së fundmi apo edhe të Latifit më herët, nuk janë për t’u shqetësuar tashmë dhe ky pushim dyjavor që vjen nga ndeshjet e Kombëtares, duket se do t’i bëjë mirë ekipit të drejtuar nga Mirel Josa për riaftësimin e kondicionit fizik të të gjithë futbollistëve.

Disa nga futbollistët, me lejen e klubit kanë shfrytëzuar këto ditë pushimi për të qenë pranë familjeve të tyre deri ditën që do të rinisë stërvitja e rradhës. Ndërkohë, nga ana tjetër, në grumbullimin e Kombëtares U20, ekipi i Vllaznisë po përfaqësohet nga tre futbollistë, ku në listën e publikuar nga FSHF, spikat emri i lojtarëve Flori Spahija, Geralb Smajli dhe Antonio Delaj.

Për dy prej këtyre futbollistëve është edicioni i parë që janë pjesë e Vllaznisë, pikërisht për Spahijën dhe Delajn, ndërsa për Smajlin është sezoni i dytë. Smajli dhe Delaj kanë pasur minutat e tyre në ndeshjet e zhvilluara deri tani, duke u përfaqësuar denjësisht, ndërsa për mbrojtësin Spahija nuk ka ardhur akoma shansi i tij.
Maringlen ZHIVANI