
Në pritje të nisjes së kampionatit kombëtar, ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë do të zhvillojë një takim miqësor. Ai do të luhet ndaj ekipit të Ulqinit dhe do të zhvillohet të shtunën pasdite në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën online
www.shkodrasport.com trajneri i ekipit shkodran Bledar Gjeçaj i cili ka thënë: “Në kuadrin e përgatitjeve për nisjen e kampionatit të ri do të organizojmë këtë miqësore me ekipin e Ulqinit, një nga më të mirët e Malit të Zi. Do jetë një test i mirë për të parë gjendjen e ekipit tonë dhe besoj se do na shërbejë shumë”. Ndërkohë sa i takon kampionatit, të hënën e ardhshme mblidhet kryesia e re e Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe ajo do vendosë për datën se kur do nisin kampionatet, si për femra ashtu edhe për meshkuj.Me shumë mundësi, ato do nisin javën tjetër. Pretendimet e ekipit të meshkujve të Vllaznisë janë për të zënë një nga katër vendet e para të renditjes.
www.shkodrasport.com