Fitorja e parë pas dy humbjeve radhazi në kampionat, solli ‘oksigjen’ për Vllazninë e Ernest Gjokës, që do ta mbyllë vitin 2017 në kryeqytet, kundër Partizanit në krizë, pas humbjes befasuese në Gjirokastër.
Shkodranët, që për të dytin sezon radhazi duhet të luftojnë fort për qëndrimin në Superiore, kanë një shans të artë, të shfrytëzojnë momentin “jo” të të. Shoku psikologjik që shkaktoi disfata e thellë në Gjirokastër mund të rëndojë këmbët e ‘demave të kuq’ dhe ndoshta ky është momenti ideal që Vllaznia të synojë të dalë me pikë nga “Selman Stermasi”.
Diametralisht e kundërt është situata në gjirin e skuadrës kuqeblu, që arriti një fitore force ndaj Kamzës, ku më në fund dhuroi një paraqitje të denjë për fanellën që lojtarët mbajnë të veshur.
Trajneri Ernest Gjoka për herë të parë pa skuadrën t’u bindej ideve të tij, edhe pse ka ende shumë detaje për të ndrequr pasi mbrojtja në mënyrë të pakuptueshme vazhdon të ‘fusë ujë’.
Çinari dhe Tafili mbeten në dyshim, ashtu si edhe Atsina në majën e sulmit, por gjatë javës Gjoka ka mundësi t’i rikuperojë lojtarët e tij, sepse përballë Partizanit me një formacion të cunguar, misioni do të ishte gati-gati i pamundur.