Tetë pikë në pesë ndeshjet e fundit janë shumë për Teutën nëse e krahasojmë me rezultatet që ka arritur në fazën e parë dhe të dytë, megjithatë në kampin durrsak nuk ka vend për eufori.
Diferenca me Vllazninë është shkurtuar me një pikë, ndërsa me Kamzën pesë, por gara sa vjen dhe vështirësohet me bregdetarët që shpresojnë të vazhdojnë me këtë ritëm.
Kapiteni Arbër Çyrbja shfaqet i kënaqur me rezultatet që kanë marrë në javët e fundit, por la të kuptohet se tani fillon më e vështira.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari u ndal te sfida me Luftëtarin dhe përballjet me rivalët direkt për mbijetesë siç janë Vllaznia dhe Kamza.
Arbër, si është atmosfera në skuadër pas fitoreve të fundit?
Fitoret e fundit na kanë dhënë më tepër besim, sidomos ajo ndaj Laçit, megjithatë nuk kemi bërë asgjë, pasi sërish jemi të parafundit në klasifikim.
Duhet të japim më shumë se maksimumi për të vazhduar me këtë ritëm. Në Gjirokastër na pret një kundërshtar tepër i fortë, por ne kemi ambiciet tona dhe do të futemi në fushë me qëllimin për të marrë më të mirën.
Luftëtari është një skuadër që bën futboll të bukur. Sa e ndërlikon ky fakt objektivin tuaj për të marrë pikët e plota?
E dimë forcën e kundërshtarit, pasi jemi përballur tri herë gjatë këtij sezoni, ku dy ndeshjet e para i kemi fituar ne.
Gjithsesi, tani situata ka ndryshuar, që nga janari Luftëtari është një ekip tjetër, luan futbollin më tërheqës në Superiore, por edhe ne jemi një ekip që shprehet bukur në fushë. Do të jetë një ndeshje shumë e luftuar dhe interesante për t’u ndjekur.
Rivali juaj direkt në garën për mbijetesë, Vllaznia ka një ndeshje të lehtë kundër Lushnjës. Ju shqetëson fakti që mund të shkëputen?
Në këtë situatë që ndodhemi ne nuk duhet të shohim se çfarë bëjnë rivalët tanë, por të marrim më të mirën në ndeshjet tona.
Më pas nëse ata ndalen është pozitive, por e theksoj se nuk duhet të presim nga të tjerët. Ne duhet ta tregojmë veten në fushë dhe të fitojmë çdo ndeshje për të siguruar qëndrimin në Superiore.
Ndaj Vllaznisë dhe Kamzës luani në shtëpi, mendoni se është një plus më shumë për ju ky fakt?
Në këtë moment ne jemi të fokusuar vetëm te ndeshja me Luftëtarin, pasi kemi një kundërshtar shumë të fortë. Ne po i marrim ndeshjet me radhë, por sigurisht që mendja të shkon edhe te ndeshjet e ardhshme. Me Vllazninë kemi rezultatet pozitive në ndeshjet direkte dhe jam i sigurt se do të vazhdojmë me këtë trend. Forcën duhet ta tregojmë ndaj kundërshtarëve direkt dhe fakti që do të luajmë në Durrës, është edhe një plus për ne për të arritur fitoren.
Vllaznia është motivuar me premio në takimet e fundit, po te Teuta si motivoheni?
Pak rëndësi ka se çfarë bëjnë kundërshtarët tanë për t’u motivuar, ne shohim punën tonë.
Në këtë moment, premio është në plan të fundit për ne si futbollist, synimi jonë është të ngjitemi sa më shpejt në klasifikim.
Për këtë pjesë është presidenti që mendon dhe gjithmonë kemi qenë të kënaqur, por e theksoj se mbi gjithçka vlen fanella që mbajmë veshur dhe qyteti që përfaqësojmë.