Tjetër fitore e Vllaznisë dhe tashmë më shumë shpresa për mbijetesë. Pasditen e së dielës ajo ka mundur me rezultatin 1-0 ekipin kryesues të kampionatit, Skënderbeun e Korçës. Takimi ka dhuruar shumë emocione dhe për më tepër, goli I fitores me autor Shtubinën, është shënuar vetëm në minutën e 88-të të ndeshjes. Përballja ka qenë shumë e vështirë dhe kuqebluve u duhej patjetër fitorja. Ato krijuan disa raste shënimi në pjesën e parë me anë të Bushiç, Vukçeviç e Hajdarit por pa sukses.


Skënderbeu ndërkohë mund të kishte shënuar edhe ai me anë të Tomiç në pjesën e parë. Madje edhe në të dytën, rastin më të pastër për të kaluar në avantazh e ka patur skuadre mike e cila ka goditur traversën me anë të Shkëmbit në minutën e 75-të. Por kur dukej se ndeshja do mbyllej në barazim, në një kundërsulm të shpejtë, Hajdari ka pasuar saktë në zonë për Shtubinën që I vetëm përballë portës, e dërgon topin në rrjetë. Kaq ka mjaftuar që Vllaznia të marrë tre pikë shumë të vlefshme dhe tashmë ajo duket në rrugë të mbarë për të qëndruar në Superligë. Kjo është shprehur edhe në fjalët e trajnerit Haxhiosmanoviç pas ndeshjes ndonëse ai ka kërkuar nga skuadra të qëndrojë me këmbë në tokë.

 

© shkodrasport.com