Tre ndeshje, tre fitore për ekipin e volejbollit të meshkujve të Vllaznisë dhe ai ka zënë vendin e parë në grupin A duke u kualifikuar për në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Dy fitoret e arritura në ditët e kaluara ndaj Elbasanit dhe Farka Volej kanë qenë disi të pritshme dhe me interes pritej paraqitja e skuadrës në takimin e fundit në grup, atë të luajtur pasditen e sotme ndaj Tiranës. Kjo e fundit e kishte mundur pak javë më parë për kampionat ndërkohë që sot pasdite ka ndodhur tjetër gjë.
Vllaznia ka dominuar ndaj bardhebluve dhe i ka mundur me rezultatin e pastër 3-0. Vetëm në setin e parë ka patur rivalitet dhe atë shkodranët e kanë fituar në shifrat 25-23 ndërkohë që në të dytin ka patur shumë pak histori sepse është fituar me rezultatin e thellë 25-10. Edhe në të tretin ka patur disi më shumë rivalitet dhe është mbyllur 25-21. Në këtë mënyrë, kuqeblutë e trajnerit Mikopli kanë fituar 3-0 dhe kanë zënë vendin e parë në grup me pikë të plota. Tashmë ata janë në pritje të emrit të kundërshtarit me të cilin do të ndeshen në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Objektivi padyshim që do të jetë fitorja dhe kalimi në finale.
© shkodrasport.com