Një ndeshja dramatike ka ngjarë ajo mes Vllaznisë e Tiranës në volejboll për meshkuj e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” në Shkodër. Gjithçka ka shkuar deri në limitet e fundit për të përcaktuar fituesin. Vendasit e Vllaznisë mjaftohen me vetëm 2 pikë diferencë për të marrë një fitore ndaj rivalëve të përjetshëm. Ndeshja  nis  më e mirë për shkodranët. Kuqeblutë janë më të qetë në setin e parë dhe më të saktë. Shkodranët fitojnë të parin 25-21 duke marrë kryesimin.

Tirana reagon dhe tregon se në Shkodër është për ta thyer ekipin vendas . Bardheblutë barazojnë setet teksa ftojnë të dytin 22-25. Vllaznia na bën të kuptojmë se po luan brenda fushës kur sërish kalon në avantazh. Volejbollistët shkodran në setin e tretë fitojnë ashtu si në të parin 25-21. Tirana nuk dorëzohet dhe në setin e katërt tregon “dhëmbët” teksa barazon për të dytën herë duke fituar setin e katërt 20-25. Fraksioni i pestë dhe i fundit ka brenda gjithçka, dramë, emocion, rivalitet e mbi të gjitha lojë të bukur e ego të madhe për fitore. Tirana kryeson një pjesë të mirë të setit të fundit ndonëse diferenca është e vogël. Miqtë nuk shkojnë më shumë se 11-12. Këtu Vllaznia barazon më pas merr kryesimin e setit dhe deri në fund nuk i lejon më vetes gabime. Kuqeblutë shënojnë të parët 15 pikët kundrejt 13-të të Tiranës duke fituar një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj një skuadre si Tirana. Kjo është fitorja e parë për Vllazninë këtë sezon pas humbjes në ndeshjen hapëse ndaj Studentit. Takimi i radhës për shkodranët është sërish një betejë e vërtetë sepse udhëtojnë drejt Durrësit atje ku i pret Teuta, kampione në fuqi, me dy ish-volejbollistët e Vllaznisë Kola e Jukni, detaje që do ta bëjnë edhe më interesante atë sfidë. Ndërkohë ka luajtur edhe ekipi I femrave të Vllaznisë në Tiranë ndaj UMB Volej duke dhuruar surprizën e këndshme teksa kanë fituar 3-2.