Pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës është zhvilluar ndeshja e fundit e javës së 11-të të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe Flamurtarit. Ajo ishte shtyrë ngaqë në fundjavë pallati i sportit ka qenë i zënë me Memorialin e boksit. Sfida mes këtyre dy ekipeve ishte interesante sepse do vendoste përfundimisht se cila skuadër do të zinte të tretin dhe cila të katërtin para nisjes së fazës të play-off-it. Vllaznia ka luajtur më mirë dhe e ka fituar krejt ndeshjen me rezultatin 63-53. Ajo e ka nisur ndeshjen duke qenë në avantazh teksa e ka mbyllur periodën e parë në shifrat 21-17 e po ashtu ka fituar edhe të dytën 18-15. Pas 20 minutash lojë shkodranët udhëhiqnin me 7 pikë ndërkohë që në periodën e tretë kanë fituar vlonjatët 14-12 dhe diferenca është ngushtuar në 5 pikë, çka do të thoshte se 10 minutëshi i fundit do ishte shumë interesant. Megjithatë Vllaznia e ka fituar edhe atë 12-7 dhe e ka mbyllur takimin me 10 pikë diferencë. Me këtë fitore, ajo përfundimisht ka siguruar vendin e tretë dhe ballafaqimi në gjysmëfinale të kampionatit do jetë me ekipin e Kamza Basket.

www.shkodrasport.com