Pasditen e sotme, ekipi i Vllaznisë ka zhvilluar një miqësore ndaj Adës së Velipojës. Trajnerët e të dy ekipeve, Canaj dhe Shaba kanë shfrytëzuar këtë ndërprerje kampionati për të testuar skuadrat e tyre. Ndeshja është zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe është ndjekur me interes nga një numër i madh sportdashësish. Vllaznia e ka nisur ndeshjen me këtë formacion: Në portë Vujadinoviç, në mbrojtje Gocaj, Kraja, Rexha e Baci, në mesfushë Balaj, Ramadani, malazezi Vuk e Vecaj ndërsa në sulm kanë luajtur Dibra dhe Gjini. Pjesa e parë ndonëse e dominuar nga shkodranët, është mbyllur në barazim 0-0.

Në të dytën pas minutës së 10-të të saj, trajneri Canaj ka hedhur në fushë një e nga një të gjithë titullarët, duke filluar me Beqirin, Belishën, Hajdarin, Shtubinën, Bushiç, Tafilin, Sykajn por edhe portieri Selimaj, Semina, kamerunasi i ardhur për provë Jackson, Idrizin dhe Hykën. ka qenë pikërisht kroati Tomislav Bushiç ai që në minutën e 70-të ka shënuar me kokë të vetmin gol të ndeshjes duke treguar edhe njëherë tjetër vlerat e tij të spikatura shënuese. Për stafin drejtues të Vllaznisë, ka qenë një miqësore që ia ka vlejtur pasi ndërprerja e kampionatit erdhi në kohën e duhur për të korigjuar pikërisht gabimet e vërejtura në dy ndeshjet e fundit me Skënderbeun dhe Teutën. Ndërkohë ekipi do të nisë të hënën në orën 15.00 javën e zakonshme të përgatitjeve për ndeshjen e rradhës të kampionatit, atë që do luajë në Shkodër me Kastriotin.

© shkodrasport.com