Pasditen e sotme ekipi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj ka arritur të fitojë 3-1 ndeshjen miqësore që ka luajtur me ekipin e Buduçnostit. Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit të Podgoricës dhe është dominuar nga fillimi në fund prej shkodranëve. Madje edhe seti i vetëm i fituar nga malazezët ka qenë më tepër një “dhuratë” e Vllaznisë me disa gabime të panevojshme të volejbollistëve të saj. Sipas informacioneve që na jep shefi i klubit Vllaznia, ish- volejbollisti i njohur Mark Kroqi, i cili ka qenë me ekipin në Podgoricë por edhe nga kordinatori i këtij ekipi Ardian Zaganjori, Vllaznia ka zhvilluar një ndeshje të përkryer. Kjo tregon se forma e ekipit po vjen gjithnjë e më shumë në rritje duke të lënë përshtypjen se paraqitja e saj në kampionat do jetë edhe më e mirë sidomos tash pas fuqizimit të tij me dy malazezët Boshkoviç e Kuç. Ndërkohë Federata Shqiptare e Volejbollit ka bërë të ditur sot edhe datat e zhvillimit të ndeshjeve gjysmëfinale të play- offit si dhe ato të finaleve. Gjysmëfinalet do luhen në datat 26 dhe 29 mars dhe nëse do jetë e nevojshme ndeshja e tretë, më 2 prill. Ndërsa ndeshjet finale do jenë tre këtë vit dhe ato do luhen në datat 5, 9 dhe 12 prill.
© shkodrasport.com