Ekipi I basketbollit të meshkujve të Vllaznisë ka arritur një tjetër fitore në kampionat. Këtë herë ndaj Apolonisë së Fierit me rezultatin 103 – 87. Ndeshja është luajtur pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe padyshim që ekipit shkodran I duhej fitorja për të siguruar përfundimisht vendin e dytë në renditje. Ndeshja ka nisur më mirë për djemtë e drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj.
Edhe pa praninë e maqedonasit Markovski të larguar tashmë nga skuadra, Vllaznia ka luajtur mirë duke e dominuar lojën. Në periodën e parë krijohet një epërsi e dukshme dhe për rrjedhojë, 10 minutat e para mbyllen me shifrat 30 – 14 për skuadrën shkodrane. Kjo epërsi e krijuar në periodën e parë, I vetëkënaqi disi basketbollistët vendas dhe për rrjedhojë në periodën e dytë është Apolonia ajo që fiton 27 – 19 megjithatë dyja skuadrat shkojnë në pushimin e ndeshjes me një epërsi prej 8 pikësh në favor të Vllaznisë. Kjo epërsi do thellohej edhe më shumë në periodën e tretë që mbyllet 36 – 21 po për të dhe në kushte të tilla trajneri Gjeçaj ka vendosur që në 10 minutëshin e fundit të aktivizojë të gjithë lojtarët e stolit. Apolonia, në rradhët e të cilës kishte edhe basketbollistë amerikanë, përfiton nga kjo dhe e fiton këtë period në shifrat 25 – 18 por pa mundur dot të përmbysë shifrat. Vllaznia edhe në këtë ndeshje, e ka kaluar kufirin e 100 pikëve teksa rezultati përfundimtar ka qenë 103 – 87 për të. Me këtë fitore, duket se skuadra shkodrane e ka siguruar vendin e dytë përfundimisht dhe është në pritje të ndeshjeve gjysmëfinale të play- off-it ku do të ndeshet me ekipin e klubit Tirana.
Gjergj KOLA