Basketbollistët e Vllaznisë kanë arritur të fitojnë edhe në ndeshjen e javës së tretë të kampionatit, atë të luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Përballë tyre kanë qenë debutuesit e kampionatit, ato të Ardhmërisë që drejtohen nga shkodrani Afrim Bilali. Ndeshja ka patur rivalitet dhe madje për 30 minuta, kanë qenë miqtë ata që kanë udhëhequr lojën dhe me pak kujdes, edhe mund ta kishin fituar lojën. Perioda e parë është fituar nga Vllaznia 17-12 por vetëm aq. Ardhmëria ka fituar të dytën 22-15 duke mbyllur gjysmën e ndeshjes në favorin e saj me 2 pikë ndërkohë që në të tretën ka arritur ta thellojë rezultatin deri në 12 pikë megjithatë kjo diferencë është ngushtuar dhe ajo është mbyllur 19-18 po për miqtë.

Kur u duk se loja do humbej nga Vllaznia, trajneri Gjeçaj hedh në fushë disa prej lojtarëve të rinj si Shabani, Rakaj, Rrashketa, Dodë dhe Daniel Lekndreaj. Ky i fundit madje do të ishte ndoshta protagonisti kryesor i minutave të fundit me lojën e tij dhe për këtë arsye, ka ardhur edhe fitorja 70-62 e krejt ndeshjes. Vllaznia fiton takimin e dytë dhe mban vendin e dytë në renditje pas javës së tretë të kampionatit.

 

© shkodrasport.com