Ashtu siç pritej, volejbollistët e Vllaznisë kanë arritur të sigurojnë daljen në finalen e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit. Përballë tyre ka qenë ekipi Farka Volej dhe në ndeshjen e luajtur në sallën sportive “Feti Borova” të kryeqytetit, ata kanë triumfuar me rezultatin 3-1. Seti i parë është fituar nga shkodranët 25-18 dhe po ashtu edhe i dyti në shifra edhe më të thella, 25-14.

Kur u duk se ndeshja do të mbyllej në setin e tretë, në fakt nuk ndodh kështu sepse është Farka që fiton 25-23 dhe kjo krijoi përshtypjen se ndeshja do të hapej por nuk do të ndodhte kështu. Seti i katërt do të fitohej nga Vllaznia në shifrat 25-22 dhe në këtë mënyrë, i gjithë takimi do të mbyllej me fitoren 3-1 të kampionëve në fuqi të vendit. Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, Partizani ka fituar me rezultatin 3-0 ndaj Studentit dhe në këtë mënyrë, nesër në finale të Kupës do të ndeshen Vllaznia dhe Partizani. Djemtë e trajnerit Adrian Mikopli sigurisht që do të kërkojnë fitoren edhe në këtë ndeshje në mënyrë që të bëjnë të vetin edhe këtë trofe.

© shkodrasport.com