Vetëm në 10 minutat e para ka patur rivalitet në parketin e “Qazim Dervishit”. Ato janë mbyllur në shifrat e barabarta. Kjo krijoi përshtypjen se vazhdimi i ndeshjes do të kishte sërish rivalitet por nuk do të ndodhte kështu. Vendasit e rrisin lojën e tyre dhe falë lojës së mirë të kapitenit Berdica, por edhe të Ndonës, vëllezërve Lekndreaj dhe në veçanti të Hamatit, e rrisin avantazhin dhe perioda e dytë do të mbyllej në shifrat 27-9. Çka do të thotë se epërsia ishte e dukshme dhe ekipet kanë shkuar në dhomat e zhveshjes me një diferencë prej 18 pikësh.
U mendua se pjesa e dytë e ndeshjes do të sillte ndonjë ndryshim por jo. Vllaznia do të vinte duke e thelluar rezultatin. Perioda e tretë do të mbyllej në shifrat 24-15 ndërsa e katërta 29-27 dhe në këtë mënyrë, i gjithë takimi është mbyllur me rezultatin e përgjithshëm 100-71. Një fitore e thellë që ka kompesuar në njëfarë mënyrë humbjen e thellë në fazën e parë ndaj kësaj skuadre në ndeshjen e luajtur në Kamëz. Me këtë fitore, ekipi shkodran siguron vendin e tretë në renditje dhe do të kërkojë fitoren edhe në ndeshjen e fundit të fazës së parë, atë që do të luajë javën tjetër në Durrës ndaj Teutës në mënyrë që të synojë të kapë vendin e dytë.
© shkodrasport.com