Ndeshja e prapambetur e javës së gjashtë të kampionatit, ajo në mes Vllaznisë dhe Farka Volej, është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Shkodranët kanë fituar pa vështirësi me rezultatin 3-0. Ata kanë bërë detyrën ndaj një ekipi që me largimet e disa sportistëve, tashmë nuk e ka më forcën e vjetshme. Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Adrian Mikopli, kanë dominuar lojën dhe në setin e parë ata kanë fituar me shifrat 25-20.

Fitorja e këtij seti do t’i jepte mundësinë trajnerit që në dy setet e tjera t’i jepte hapësirë edhe lojtarëve të rinj si Klaudio Preka apo dhe Julian Talaj dhe ato bashkë me pjesën tjetër të ekipit kanë arritur të fitojnë edhe setin e dytë në shifrat 25-17 dhe të tretin 25-21 duke fituar kësisoj krejt ndeshjen me rezultatin e pastër 3-0. Vllaznia me fitoren e sotme është ngjitur në kuotën e 9 pikëve dhe tashmë do të përgatitet për takimin e rradhës me Tiranën që është shumë i rëndësishëm për përcaktimin e katërshes së ekipeve më të mira të kampionatit.

© shkodrasport.com