Një fitore shumë të rëndësishme ka arritur mbrëmë ekipi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj. Ai ka fituar 3-2 ndaj Teutës së Durrësit brenda në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të këtij qyteti. Ndeshja ka qenë me shumë emocione dhe ka zgjatur mbi dy orë. Shkodranët e trajnerit Artan Kalaja kanë fituar setin e parë 25-23, pastaj kanë humbur të dytin 15-25. Me barazimin e rezultatit u duk se durrsakët do merrnin frenat e lojës në dorë, aq më tepër që ata kanë fituar edhe setin e tretë 25-23. Por këtu ndodh kthesa. Vllaznia nuk dorëzohet dhe fiton setin e katërt pas një drame të vërtetë me rezultatin 30-28 duke i barazuar setet në 2-2 dhe duke i dhënë shpresë vetes për fitoren e krejt ndeshjes. Edhe seti final ka patur shumë rivalitet por shkodranët kanë fituar në fund 16-14 duke marrë kësisoj një fitore shumë të rëndësishme ndaj njërës prej skuadrave më të mira të kampionatit.