Skuadra shkodrane është mundur me rezultatin e thellë 0-3 në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në Laç ndaj skuadrës vendase. Në pamje të parë duket se Vllaznia është dërrmuar nga kundërshtari por realiteti nuk ka qenë ky. Në fushën e lojës ka patur sot vetëm një skuadër dhe ajo ka qenë Vllaznia e cila ka ushtruar më tepër presion, ka patur më shumë raste shënimi por çuditërisht është mundur pastër. Loja ka filluar mirë për kuqeblutë që krijojnë shpejt tre raste shënimi me anë të Hajdarit, Sozës dhe Shtubinës. Por atë që se bënë ata, do ta bënte Laçi.

Shala në përpjekje për të mbajtur topin në hyrje të zonës, e humbet atë dhe shkakton faull ndaj një kundërshtari. Gjyqtari Cjapi akordon goditje dënimi nga rreth 20 metra me portën shkodrane. Gjuan Xhejms Adeniyi dhe portieri Selimaj është i vendosur keq në portë prandaj topi shkon drejtëpërdrejtë në rrjetë. Kjo ndodh në minutën e 17-të. Në fund të pjesës së parë, Shtubina do të dërgonte topin në rrjetën e Laçit por loja është ndërprerë më parë nga gjyqtari për faull të tij ndaj një mbrojtësi kundërshtar. Në pjesën e dytë është sërish e njëjta tabllo. Vllaznia luan më mirë, rrit presionin dhe krijon disa raste shënimi me anë të Hajdarit, Sozës, Shtubinës e Krujës por ato neutralizohen nga portieri VUjadinoviç. Kur kuqeblutë po e shtonin presionin, gjyqtari Cjapi do të akordonte një 11-metërsh shumë të dyshimtë për Laçin. Nimani fut një top në zonë dhe ai do prekte dorën e Mehmedoviç që është e ngjitur pas trupit por ai mendon për të drejtuar gishtin drejt pikës së bardhë. Gjuan Cetkoviç dhe 2-0 në minutën e 85-të. Loja nuk do mbaronte me kaq. Në minutën e parë shtesë, Adeniyi do gjuante nga jashtë zone dhe topi përfundon sërish në rrjetë. E çuditshme por ky ka qenë realiteti i sotëm. Tre herë ka shkuar topi drejt portës së Vllaznisë dhe Laçi ka shënuar tre gola duke marrë tre pikë shumë të merituara ndërsa shkodranët mbesin në kuotën e 8 pikëve dhe kanë zbritur në vendin e shtatë në renditje.
Laçi- Vllaznia 3-0
Laçi: Vujadinoviç, Doku, Buljan, Sheta, Sefgjini, Veliaj, Cetkovi (Memelli 88′), Bardhi (Çela 90′), Sefa, Adeniyi, Nimani. Tr: A. Cungu
Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Mehmetoviç, Sykaj, Baci (Kalaja 89′), Tafili, Hajdari (Cioffi 85′), Shala, Kruja, Shtubina (Dibra ’80), Sosa. Tr: B. Raineri
Shënues: Adeniyi 17′, 91′, Cetkoviç 85′ (11-m)
Gjyqtarë: K. Cjapi, O. Grabova (Fier), E. Doda (Tiranë)
Kartona të verdhë: Doku, Sheta, Sefgjini, Sefa/ Gocaj, Mehmedoviç, Sykaj, Shala

www.shkodrasport.com