Ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj është mundur me rezultatin 83-87 nga Trepçe e MItrovicës në miqësoren e luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Ndeshja ka qenë e barabartë, e luajtuar nga të dy ekipet dhe vetëm në periodën e fundit ka qenë ekipi kosovar ai që ka arritur ta bëjë të veten fitoren. Ndeshja ka nisur në orën 17.00 dhe ka patur edhe një numër të konsiderueshëm tifozësh. Ka rënë në sy edhe prania e shefit të ri të klubit shumësportësh Vllaznia Mark Kroqi që e nis menjëherë punën duke qenë pranë ekipeve të këtij klubi.

Ndeshja ka nisur mirë për basketbollistët shkodranë. Dy pikët e para të ndeshjes janë shënuar nga basketbollisti serb i Vllaznisë Kovaç. Perioda e parë ka rivalitet por vetëm në sekondat e fundit, Trepça arrin të shënojë një kosh më shumë dhe për rrjedhojë e fiton atë me rezultatin 21-19. Në periodën e dytë, Vllaznia rregullon shumë gjëra në lojën e saj dhe për rrjedhojë ky 10 minutësh mbyllet me rezultatin 27-22. Dy ekipet shkojnë në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej tre pikësh të favor të atij shkodran. Në periodën e trete gjithçka është e barabartë dhe për rrjedhojë fiksohet edhe rezultati i tillë 21-21. E katërta do të përcaktonte pastaj fituesin e këtij takimi që do ishte Trepça e cila e ka fituar këtë periodë me shifrat 23-16 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 87-83. Ajo që duhet përmendur është se tek skuadra shkodrane në këtë ndeshje u vërejtën edhe disa defekte si për shembull loja individuale e disa basketbollistëve të saj. Këto natyrisht që duhen korigjuar sepse ndryshe, do ketë pasoja për ndeshjet e ardhshme. Të shtunën ndërkohë Vllaznia do luajë në Elbasan ndaj skuadrës vendase ndeshjen e rradhës për kampionat.

www.shkodrasport.com